Sur-i

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me termin “Sur” kuptohet teprica e ujit, pasi një person apo kafshë pi nga ena. Çështja që shtrohet është, nëse kjo tepricë konsiderohet e pastër apo jo? Sur-i është disa llojesh:

1- Sur-i që mbetet në enë, pasi njeriu pi prej saj: Kjo tepricë është e pastër, musliman qoftë ai njeri që ka pirë apo jomusliman. Përcillet në hadithe të vërteta, se muslimanët dhe idhujtarët ecnin me njëri – tjetrin, hanin e pinin bashkë dhe i Dërguari i Allahut (a.s) nuk u thoshte që të laheshin apo të mos hanin me ta. Aishja (r.a) thotë: “Unë pija ujë, duke qenë me menstruacione dhe i jepja të Dërguarit të Allahut (a.s) për të pirë, ndërsa ai (a.s) e vendoste buzën aty ku e kisha vënë unë”[1]

2- Sur-i i kafshëve që u hahet mishi: Kjo është e pastër, pasi jargët e tyre janë të pastra. Ibn Mundhiri thotë: “Të gjithë dijetarët mendojnë, se mbetja e ujit që lënë kafshët që u hahet mishi, është e pastër për pije dhe abdes”.

3- Sur-i i gomarit, mushkës, kafshëve mishngrënëse dhe shpendëve grabitqarë: Sipas Ebu Hanfies kjo mbetje konsiderohet e pisët, mirëpo sipas mendimit më të drejtë, kjo mbetje konsiderohet e pastër. Xhabiri (r.a) tregon, se dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “A të marrim abdes me ujin e enës, nga e cila ka pirë gomari”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Po, madje edhe me mbetjen e egërsirave.

Ibn Umeri (r.a) tregon: “Umer ibn Khatabi (r.a) kishte dalë një natë me shokët e tij në një ekspeditë. Ata kaluan afër një burri që kishte një lug (ulluk) me ujë. Amr ibn Asi (r.a) e pyeti burrin: “A kanë pirë ujë egërsirat këtë natë në lugun tënd”. Umeri (r.a) tha: “O pronar i këtij lugu, mos trego gjë. Çfarë kanë pirë egërsirat e kanë për vete, kurse ajo që ka mbetur është e pastër për ne, si për pije ashtu dhe pastrim”.

4- Sur-i i maces: Mbetja që lë macja në enë është e pastër. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Ajo (macja) nuk është e papastër, ajo është nga pjesëtarët e shtëpisë, prandaj përkujdesuni për të[2]

5- Sur-i i qenit dhe derrit: Ato janë të ndyra. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Nëse qeni lëpin enën tuaj, lajeni enën shtatë herë me ujë dhe herën e parë lajeni me dhéNë lidhje me derrin, Allahu i Madhëruar e ka konsideruar atë të pisët. Allahu i Madhëruar thotë: “…ose mish derri, ai është i ndyrë…[3]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Muslimi (300).

[2] – Ebu Daudi (75).

[3] – Sure En’am: 145.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.